Zelenskyy e “kupton” nevojën për t’i dhënë fund luftës sa më parë         / Foto: AA

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se ai e kupton nevojën për t’i dhënë fund konfliktit “sa më parë”.

Në një takim në Kiev me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, presidenti ukrainas tha se ai mendon se “ne të gjithë e kuptojmë se duhet t’i japim fund luftës sa më parë, natyrisht”.

Zelenskyy gjithashtu e vlerësoi vizitën e kardinalit Parolin në Kiev, duke e quajtur një “simbol të fortë nga Vatikani”, pa shpjeguar më tej se çfarë dëshironte të thotë.

Në një prononcim në Telegram, Zelenskyy gjithashtu tha se çështjet e paqes ishin në qendër në takimin me kardinalin Parolin.

Përpjekjet ndërkombëtare synojnë gjithashtu gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin ruso-ukrainas.

Konferenca e 15-16 qershorit për Ukrainën në Burgenstock të Zvicrës u zhvillua pa pjesëmarrjen e Rusisë.

Në konferencën në Zvicër morën pjesë përfaqësues nga 92 vende dhe 8 organizata ndërkombëtare. Ajo përfundoi me miratimin e deklaratës përfundimtare, e cila nuk u nënshkrua nga disa vende, përfshirë Brazilin, Indinë, Afrikën e Jugut dhe Arabinë Saudite.

Deklarata përfshinte tre çështje, respektivisht eksportin e drithërave të Ukrainës, sigurinë e termocentraleve bërthamore dhe kthimin e të burgosurve të luftës.

Një ditë para samitit, presidenti rus, Vlladimir Putin, e çoi përpara nismën e tij të paqes, duke i bërë thirrje Ukrainës që të njohë pretendimet territoriale të Rusisë të bëra gjatë “operacionit special ushtarak” që filloi në shkurt të vitit 2022.

TRT Balkan / agjencitë