Roja Bregdetare e ShBA-së ka nisur një operacion kërkimi dhe shpëtimi pasi një nëndetëse turistike e destinuar për në vendin e rrënojave të anijes Titanik është zhdukur.
Sipas raporteve në media, Roja Bregdetare e ShBA-së në Boston aktualisht po kryen kërkimet pasi anija u zhduk në brigjet juglindore të Kanadasë. Vendi i rrënojave të anijes Titanik gjendet në Oqeanin e Atlantikut të Veriut rreth 3,7 kilometra nën sipërfaqen e oqeanit.
Në kërkim janë përfshirë avionë ushtarakë, një nëndetëse dhe instrumente sonarë.
Deri tani, kërkimet kanë rezultuar pa sukses.
Shpëtimtarët amerikanë dhe kanadezë po garojnë me kohën për të gjetur nëndetësen turistike. Në bord ndodhen pesë persona dhe kontakti ka humbur një orë e 45 minuta pas zhytjes të dielën në mëngjes.
Besohet se deri pasditen e djeshme ekuipazhi kishte oksigjen të mjaftueshëm për katër ditë të tjera.
Siç u raportua dje, ekuipazhi përfshin një pilot dhe katër "operatorë të misionit". Një prej tyre është miliarderi, eksploruesi dhe aventurieri britanik Hamish Harding (59).
Nëndetësja e zhdukur i përket Ocean Gate, e cila organizon turne drejt Titanikut për 250.000 dollarë për person.