Dhjetëra persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në një traget në jug të Filipineve, ku udhëtonin 250 pasagjerë dhe ekuipazhi.
Guvernatori i provincës Basilan, Jim Hataman, tha se trageti mori flakë gjatë lundrimit nga qyteti port jugor Zamboanga në qytetin Jolo. Duke konfirmuar se 31 persona kanë humbur jetën, Hataman tha se përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për të paktën 7 pasagjerë të zhdukur.
Duke theksuar se pasagjerët e shpëtuar u hodhën nga trageti kur zjarri u përshkallëzua dhe ata u nxorën nga deti me ndihmën e rojës bregdetare, marinës dhe peshkatarëve, Hataman tha se të paktën 23 pasagjerë u plagosën dhe u dërguan në spitale.
Gjithashtu, thuhet se është duke vazhduar një hetim për shkaqet e zjarrit.
Në dhjetor 1987, trageti Dona Paz me flamur të Filipineve u mbyt pasi u përplas me një cisternë karburanti. Aksidenti, në të cilin humbën jetën më shumë se 4.300 njerëz, u regjistrua si fatkeqësia më e keqe detare në kohë paqeje.