Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjPAKKO) ka vendosur masën e sigurisë “Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore” për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Në një njoftim nga GjPAKKO-ja, thuhet se në seancën e sotme ndaj Berishës, i cili sipas autoriteteve shqiptare dyshohet për korrupsion, është vendosur ndryshimi i vendimit të datës 27 nëntor 2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO).
GjKKO-ja vendosi në nëntor të vitit të kaluar heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi ndaj Berishës, i cili aktualisht është kryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike.
Sipas GjPAKKO-së, ndaj vendimit të sotëm mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) kishte kërkuar kthimin e masës arrest shtëpie, por gjykata e apelit caktoi masë të re me detyrim paraqitje.
Çështja ndaj ish-kryeministrit Berisha
Më 20 tetor 2023, GjKKO-ja për Berishën caktoi masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", sipas autoriteteve i dyshuar për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa "arrest me burg" dhe më pas "arrest në shtëpi", i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Më 12 dhjetor 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.
Në seancën e datës 30 dhjetor 2023, GjKKO-ja vendosi masën "arrest në shtëpi" ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe më 25 janar 2024 GjPAKKO-ja la në fuqi masën e sigurisë "arrest në shtëpi".
Më 27 nëntor 2024 GjKKO-ja vendosi heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi për ish-kryeministrin Berisha.
Objekt i hetimit të këtij procedimi penal, sipas autoriteteve, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të "Klubit të Futbollit Partizani" dhe "Klubit Shumësportesh Partizani" në Tiranë.