Tabaku: Integrimi evropian duhet të jetë për shqiptarët, jo për politikanët / Photo: ATA

Në Berlin po zhvillohet konferenca e radhës në lidhje me Procesin e Berlinit në Bundestag.

Kjo konferencë vjen pas konferencës së organizuar një vit më parë në Tiranë nga kryetarja e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Jorida Tabaku.

Diskutimet u përqendruan në vazhdimin e reformave dhe forcimin e Procesit të Berlinit në rajon. Këtë herë, Shqipëria merr pjesë me një status të ri, atë të vendit kandidat zyrtar për integrimin në Bashkimin Evropian.

Tabaku theksoi nevojën që procesi i integrimit të largohet nga kornizat burokratike të qeverisë dhe të përfshijë drejtpërdrejt qytetarët. Ajo nënvizoi se ky nuk është proces teorik, por praktik, si dhe shqiptarët presin të shohin ndryshime reale. “Reformat janë të domosdoshme dhe duhet të jenë gjithëpërfshirëse për të siguruar progres të qëndrueshëm” shtoi ajo.

Tabaku ngriti shqetësime serioze për mungesën e një reforme të thellë zgjedhore, e cila vazhdon të minojë integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Ajo theksoi se një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është thelbësore për të garantuar zgjedhje të lira dhe transparente, duke ndjekur rekomandimet e OSBE-ODIHR, që janë në pritje prej më shumë se dhjetë vitesh.

Më tej, Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Evropiane kritikoi hezitimin e qeverisë për të zbatuar këto reforma, që ka penguar përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve të BE-së.

Tabaku vuri në pah gjithashtu çështjen e korrupsionit të përhapur, duke e përshkruar si “një gjemb në krah” të shoqërise shqiptare.

Deputetja bëri thirrje për reforma të vërteta, të cilat janë përjashtuese dhe dypartiake, e jo komisione partizane që dështojnë në dhënien e ndryshimeve thelbësore.

“Procesi i Berlinit, argumentoi ajo, duhet të përdoret si mjet për të nxitur bashkëpunimin, jo si një vegël për interesat partiake”.

“Shqipëria, vuri theksin ajo, ka nevojë për reforma të vërteta institucionale për të luftuar korrupsionin me efektivitet dhe për të siguruar një rrugë të qëndrueshme drejt integrimit evropian”.

Në përfundim të fjalimit të saj, Tabaku kërkoi respektimin e parimeve demokratike, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimin për një Shqipëri të përgatitur për anëtarësim në BE.

Ajo deklaroi se "opozita duhet të trajtohet si partner në demokraci, e jo si kundërshtar," duke i bërë thirrje mazhorancës të respektojë frymën e ligjit dhe të sigurojë ruajtjen e balancës së pushteteve.

ATA