Sërish është shtyrë seanca e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) mbi masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion.
Në një njoftim për mediat, GjKKO-ja ka konfirmuar se seanca për shpalljen e vendimit është shtyrë për nesër, ndërkohë nuk janë dhënë detaje të tjera.
Edhe në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm ish-kryeministri Berisha, i cili është përfaqësuar nga avokatët e tij.
Më 20 tetor 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për Berishën caktoi masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", pasi dyshohet sipas autoriteteve për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa "arrest me burg" dhe më pas "arrest në shtëpi", i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Më 12 dhjetor, SPAK-u i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.
Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të "Klubit të Futbollit Partizani" dhe "Klubit Shumësportesh Partizani" në Tiranë.
Në seancën e datës 28 dhjetor, GjKKO-ja do të marrë vendim në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Berishës.