Apeli i GjKKO-së: 2 vjet burg për Belerin, fajtor për “Korrupsion zgjedhor” / Photo: ATA

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, më 5 mars, shpalli fajtor për “Korrupsion zgjedhor” kryetarin e Bashkisë së Himarës Fredi Belerin, ndërsa apeloi vendimin në GjKKO-në e Apelit.

Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e Fredi Belerit me 2 vjet e 6 muaj burg për akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (Anëtar) dhe Iliriana Olldashi (Anëtare) konfirmuan dënimin me 2 vjet burg për Belerin.

GjKKO-ja vendosi po ashtu dhe dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Pandeli Kokaveshi, i cili u arrestua së bashku me Belerin, si dhe do të qëndrojë në shërbim prove për 3 vjet. Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 2023 në Himarë, u arrestua më 12 maj, 2 ditë para se të mbaheshin votimet.

E pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Në dalje të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ajo u shpreh se është shkelur prezumimi i pafajësisë.

“Për fat të keq, shumë aspekte të kësaj çështje ngrenë pyetje për sa i përket objektivitetit të procesit, siç është shkelja e prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur, dënimi jo proporcional, si dhe moslejimi i së drejtës së betimit”, deklaroi ajo.

Kamitsit tha se përparësitë e Greqisë mbeten gjithmonë respektimi i shtetit të së drejtës, proceseve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave të minoritetet, të cilat sipas saj janë parimet bazë të BE-së.

“Zoti Beleri është zyrtarisht anëtar i zgjedhur i Parlamentit Europian. Është kërkesë demokratike që eurodeputetët të kenë mundësi të paraqiten në punimet e PE-së duke nisur që nga seanca e parë e korrikut që vjen”, përfundoi fjalimin ambasadorja Kamitsi.

ATA