Blerja e votave, gjykata e Shqipërisë refuzon lirimin e shtetasit grek / foto: ATA

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë ka lënë në fuqi masën arrest me burg ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, duke rrëzuar kërkesën për lirimin e tij.

Vendimi i gjykatës është marrë në seancën e ditës së sotme dhe është konfirmuar nga avokatët e Belerit në një deklaratë për mediat.

Avokatët e Belerit kishin kërkuar që ai të lirohej dhe të bënte betimin si kryebashkiak i ri i Himarës, pasi sipas tyre Beleri “po mbahet politikisht në burg”.

Edhe në disa seanca të tjera, gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar kërkesat e Belerit për lirimin e tij, përfshirë edhe kërkesën për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit si kryebashkiak.

Çështja ndaj Alfred Belerit

Më 12 maj, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".

Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.

Sipas autoriteteve shqiptare, Beleri dyshohet për përfshirje në aktivitete të blerjes së votave.

Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe në Greqi.

AA