Shqipëri, një i vrarë dhe një i plagosur në burgun e sigurisë në Peqin      / Foto: AA

Një i dënuar ka mbetur i vrarë me armë zjarri brenda ambienteve të një burgu në Shqipëri dhe një tjetër është plagosur, ndërkohë sipas autoriteteve nuk ka asnjë punonjës të burgut të dëmtuar.

Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, në një deklaratë për mediat ka konfirmuar ngjarjen e ndodhur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin, në Qarkun e Elbasanit, duke theksuar se ka humbur jetën një i dënuar dhe është plagosur lehtë një tjetër i dënuar.

"Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë është një i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili po vuante ndërkohë dënimin në këtë burg të sigurisë së lartë dhe pas kryerjes së krimit është dorëzuar. Ngjarja është e rëndë, por nga ana tjetër nuk ka pasur në asnjë moment cenim të jetës dhe të sigurisë së personelit policor dhe stafeve civile", është shprehur Manja nga qyteti i Peqinit.

Autoritetet shqiptare deklaruan se mekanizimi i ngjarjes dhe zbardhja e plotë e dinamikës se si ka hyrë arma dhe si ka ndodhur ngjarja tashmë janë çështje që i përkasin hetimit.

AA