Instituti i Statistikave të Shqipërisë, INSTAT, nisi sot zyrtarisht procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, “Censi 2023”.
Regjistrimi do të sigurojë një panoramë të gjendjes aktuale të popullsisë së Shqipërisë, ku përfshihen aspektet sociale, ekonomike, lëvizjet demografike dhe shumë të dhëna të tjera, të cilat do të tregojnë qartësisht si dhe ku jetojnë qytetarët e Shqipërisë në 2023.
Numërimi i gjithë popullsisë dhe banesave është operacioni më i rëndësishëm statistikor për një vend, dhe bazuar në këto të dhëna, institucionet do të munden të planifikojnë saktë ndërhyrjet dhe shërbimet e nevojshme për banorët.
Ky është regjistrimi i 12-të në historinë e Shqipërisë, i cili vjen 100 vjet pas regjistrimit të parë, zhvilluar në vitin 1923 dhe, falë zhvillimeve teknologjike, do të jetë e mundur që të zbatojë plotësisht standardet evropiane të zhvillimit të regjistrimeve.
Për këtë proces janë punësuar rreth 7 mijë persona. Kostoja totale parashikohet të shkojë 16,9 milionë euro.
Mbledhja e informacionit do të realizohet duke shkuar në çdo shtëpi. Nëse një qytetar refuzon të bëhet pjesë e regjistrimit të popullsisë parashikohen penalitete, që variojnë nga 50 deri në 100 mijë lekë.
Të gjithë personat të cilët jetojnë në një familje do të numërohen. Çdo person i moshës 18 vjeç e sipër mund t’u përgjigjet vetë pyetjeve.
Anketuesit do të pyesin mbi informacione personale, arsimin, gjendjen shëndetësore, punësimin dhe elementë të tjerë të jetesës. Gjithashtu, censi përfshin pyetje rreth etnisë, besimit fetar dhe gjuhës.
Të dhënat grumbullohen në mënyrë elektronike dhe janë të mbrojtura me ligj, ndërsa kodohen në mënyrë që informacioni individual të mos identifikohet.