Gjykata e Lartë e Shqipërisë rrëzon ankesën e Özerit për esktradim / Foto: AA

Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka vendosur mospranimin e ankesës të paraqitur nga themeluesi i platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kundërshtonte vendimin që lejon ekstradimin e tij në shtetin turk.

Sipas informacioneve zyrtare të publikuara në uebfaqen e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, sot është vendosur "Mospranimi i rekursit të paraqitur nga kërkuesi Faruk Özer, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës".

Çështja në fjalë u regjistrua zyrtarisht më 13 mars në Gjykatën e Lartë, ku Özer paraqiti rekurs, duke kundërshtuar vendimin që lejojnë ekstradimin e tij në Türkiye.

Ndërkohë, me përfundimin e procesit në Gjykatën e Lartë, për ekstradimin vendos ministri i Drejtësisë i Shqipërisë.

Kujtojmë se më 17 nëntor 2022, Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan vendosi pro lejimit të ekstradimit në Türkiye të Özer, vendim i cili u apelua.

Gjykata e Apelit Durrës ka lënë në fuqi më 30 dhjetor 2022 vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, që lejon ekstradimin në Türkiye të shtetasit turk Özer.

Aktualisht Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë dhe në apel ka përfunduar procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij.

Çështja ndaj Faruk Fatih Özer

Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht 2022 në Shqipëri dhe akuzohet për veprat penale "Krijimi i organizatës kriminale" dhe "Mashtrimi me pasoja të rënda".

Prokuroria turke më 22 prill të vitit 2021 filloi zyrtarisht hetimin pas denoncimeve të përdoruesve për mosqasje në llogaritë e bursës së kriptovalutave Thodex dhe pasi pronari i kompanisë ishte larguar jashtë vendit.

Në këtë kuadër u konfirmua se pronari i kompanisë, i dyshuari Özer, ishte larguar jashtë vendit më 20 prill të vitit 2021.

Më pas u lëshua një urdhër ndalimi për shumë persona të dyshuar, përfshirë edhe për Özer ndaj të cilit më parë ishte nxjerrë një urdhër arresti.

Gjithashtu, ndaj Özer më 23 prill të vitit 2021 ishte lëshuar një buletin i kuq nga Interpoli.


AA