Greqia refuzon ndihmën e Shqipërisë për luftimin e zjarreve

Greqia refuzon ndihmën e Shqipërisë për luftimin e zjarreve

Së fundmi, tensioni po mbizotëron marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë fqinje.
Greqia refuzon ndihmën e Shqipërisë për luftimin e zjarreve / Foto: Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë

Përderisa Greqia po përballet me zjarret në shumë rajone të vendit, shteti grek ka refuzuar ndihmën e shtetit shqiptar për tu ballafaquar me stuhinë e zjarreve. Këtë e konfirmon edhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Në një komunikatë në Facebook, Ministria e Mbrojtjes thotë se Shqipëria, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka treguar gatishmërinë e menjëhershme pas kërkesës për ndihmë të dërguar nga Greqia në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, por njësitet nuk kanë marrë leje për t’u futur në Greqi.

“Një ekip me 58 efektivë dhe 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër u dislokuan në afërsi të shtetit fqinj, në ndihmë të kolegëve grekë, në pritje të konfirmimit nga pala greke për ndërhyrje në zonat ku ata kanë nevojë. Ndërkohë, pas kësaj, nga pala greke jemi njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqipëria për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera”, thuhet në komunikatë.

Së fundmi, tensioni po mbizotëron marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë fqinje. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk u ftua në darkën joformale për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Tensionet u rritën për shkak të arrestimit të Alfred Belerit, shtetas me kombësi greke i cili u arrestua nën akuzat për vepra penale në zgjedhjet për Bashkinë e Himarës. Greqia e konsideron arrestimin e Belerit si akt politik ndaj pakicës greke, ndërsa Shqipëria thotë se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

TRT Balkan