Hapet Ura e Madhe e Kukësit / Photo: ATA

Ura e Madhe e Kukësit është hapur sot për qarkullimin e automjeteve, si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore që çliron përfundimisht qarkullimin duke aksesuar edhe komunitetet përreth.

Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë morën pjesë sot në ceremoninë e përurimit të urës, ndërsa u përshëndetën edhe me banorët e zonës.

Kryeministri Rama e konsideroi urën një vepër mbresëlënëse, e cila çliron përfundimisht qarkullimin e ngërçosur prej vitesh. “Ky investim u jep një përgjigje kuptimplotë të gjitha qyqeve që mbushën rrjetet sociale me vrer lajmesh të rreme, ndërkohë që po siguroheshin edhe akseset e komuniteteve përreth”, u shpreh Rama.

Balluku e konsideroi urën një vepër arti, ndërsa u shpreh se ajo është dizenjuar nga një prej arkitektët më të njohur italianë.

Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra.

Ura ka 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës.

ATA