Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i shoqëruar nga bashkëshortja Armanda Begaj, sot e ka shfrytëzuar të drejtën e votës pranë qendrës së votimit te shkolla “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë.
Në një prononcim për mediet pas votimit, Begaj tha se sot është një ditë e rëndësishme në demokraci, dita e zgjedhjeve.
“Unë sot kreva detyrën time si qytetar. Natyrisht që çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë me të drejtë vote sot ka ditën që të dëgjohet, që vota e tij të lexohet, fuqia dhe pushteti i votës së tij të bëjë ndryshimin”.
Ai shtoi se këto votime nuk janë të partive politike, por të qytetarëve dhe duhet t’u shërbejnë atyre.
Po ashtu, edhe kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS-së, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, votoi sot në qendrën e votimit në Surrel për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ai pas votimit theksoi se janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë, tani është momenti i të gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre.
Ndërkohë Rama i inkurajoi qytetarët që të dalin në votime duke mos u ndikuar nga situata e mëngjesit ku në disa vendvotime kishte aparatura jofunksionale.
“Uroj shumë që situata e krijuar në KQZ të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat. Të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar në momentet e para të rikthehen në mënyrë që vullneti të shkojë i plotë në gjithë territorin e Republikës për të gjithë kandidatët dhe këshillat bashkiakë”, tha Rama.