Maqedonia e Veriut duhet të pranojë pa asnjë hezitim propozimin e ri francez, që është edhe i fundit, i cili i hap rrugë çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën me gazetarët pas punimeve në Samitin e NATO-s, të mbajtur në Madrid
“Kam qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me Presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili meriton një mirënjohje dhe falënderim të madh sepse e ka ndjekur vetë personalisht për 48 orë rresht pa pushim këtë proces, edhe pas mesnate kemi shkëmbyer mesazhe”, tha Rama.
“Në këndvështrimin tim propozimi i ri, që është edhe propozimi përfundimtar, këtë duhet ta kuptojnë mirë në Maqedoninë e Veriut, është një propozim plotësisht i pranueshëm dhe qeveria, shumica, parlamenti i Maqedonisë së Veriut, duhet ta pranojë pa asnjë hezitim. Shoqëria në Maqedonia e Veriut duhet të ndihet plotësisht e lehtësuar sepse është kapërcyer një ngërç dhe janë eliminuar disa nuanca që e bënin të papranueshëm propozimin e mëparshëm”, tha Rama.
Kryeministri informoi se ka zhvilluar një bashkëbisedim konstruktiv edhe me Presidentin e Bullgarisë.
“Është shumë e qartë për të gjithë. Ne nuk kemi asnjë problem me Bullgarinë, asnjë shqetësim të asnjë natyre tjetër veç shqetësimit të krijuar nga qasja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pengmarrja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në kushtet e një procesi që mund të kishte qenë shumë më civil dhe europian nga ana e Bullgarisë. Por është një ujë që ka kaluar nën urë dhe me mbylljen e procesit të shqyrtimit nga Maqedonia e Veriut të propozimit të fundit francez, nuk ka më asnjë gjë për të shtuar për sa i përket Bullgarisë. Uroj të mos ndeshim rrugës në të ardhmen të tjera Bullgari, në forma të tjera si shprehje e deformimit të shpirtit të zgjerimit”, tha Rama.
NATO me bazë navale në Portin e ri të Durrësit?
Shqipëria i ka bërë ftesë NATO-s, që të instalojë një bazë navale ushtarake në Portin e ri të Durrësit, që do të ngrihet në Porto Romano. Kryeminsitri Rama, tha se së shpejti do të kthehet në Bruksel për të vijuar diskutimin, lidhur me propozimin e tyre që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet, për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit.
“Sa i përket portit, do të financojmë vetë pjesën tregtare, kemi ftuar NATO të marrë pjesë në bashkëfinancimin e pjesës ushtarake. Do të ketë vlerë të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë dhe vetë NATO-n”, tha Rama.
1 Kor 2022
Rama: Maqedonia e Veriut pa hezitim ta pranojë propozimin e ri francez
Pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Madrid, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë me gazetarë ku ka shpalosur një pjesë të diskutimeve për NATO-n dhe BE-në.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Miratohet pr/buxheti i vitit 2025 për Shqipërinë, në parim me 75 vota pro
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 8,2 miliardë euro ose 28,8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 406,1 milionë euro më shumë.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore