Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, raportoi sot para Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane në lidhje me nivelin e zbatimit të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se përfituesit më të mëdhenj nga kjo marrëveshje janë qytetarët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas adoptimit të marrëveshjes në të gjitha shtetet e rajonit këtë verë.
“Lëvizja e lehtësuar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor me karta identiteti është një marrëveshje rajonale, e cila krijon mundësinë për një rajon më të bashkuar, të lidhur më mirë me njëri-tjetrin. Në fakt, të gjitha vendet janë përfituese, por më përfitues janë qytetarët e vendeve tona. Në fakt, marrëveshja ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2023, ndërkohë që vendi i fundit që ka firmosur dhe ka ratifikuar ka qenë Serbia, e cila nëpërmjet shkresës së 31 korrikut 2023 ka njoftuar edhe adoptimin e kësaj marrëveshje”, tha Balla.
Ministri i Brendshëm informoi se Shqipëria ka regjistruar mbi 8 milionë hyrje-dalje me karta identiteti falë kësaj marrëveshje.
“Në Republikën e Shqipërisë, falë kësaj marrëveshje, në një total hyrje-dalje, janë 8 milionë e 501 mijë shtetas, ndër të cilët, përveç shtetasve shqiptarë që kanë përfituar nga kjo marrëveshje, ajo që bie në sy janë shtetasit kosovarë. Janë shtetasit që janë përfituesit më të mëdhenj në numër në raport me Shqipërinë, sepse bëhet fjalë për hyrje në Shqipëri. 2,26 milionë kanë hyrë në Shqipëri vetëm me karta identiteti falë kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë shtetasit e Malit të Zi janë 250 mijë hyrje dhe 239 mijë dalje. Hyrje nga shtetas të Maqedonisë së Veriut me 353 mijë hyrje dhe 348 mijë dalje dhe pastaj boshnjakët dhe më pak shtetasit serbë”, tha Balla.
Një ndër problematikat që haset në pikat e kalimit kufitar, sipas Ballës, është unifikimi i identifikimit të udhëtarëve, pasi për shembull Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përdorin sisteme të ndryshme identifikimi.
Marrëveshja për lehtësimin e lëvizjes me karta identiteti mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor vjen në kuadër të Procesit të Berlinit. Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit mbahet pikërisht në Tiranë, më 16 tetor.