Nxënësit që ndjekin mësimin në shkollat e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri ndanë ndjenjat e tyre nëpërmjet pikturave dhe eseve me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Türkiyes dhe Shqipërisë.
Sipas deklaratës së Përfaqësisë së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, shkrimet dhe pikturat shumëngjyrëshe që kanë vizatuar nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme që i përkasin fondacionit në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri e kanë zbukuruar shkollën e Maarifit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Në deklaratë thuhet se disa nga punimet e nxënësve trajtojnë marrëdhëniet ekonomike, historike 100-vjeçare midis Türkiyes dhe Shqipërisë, duke përçuar lidhjet e dashurisë dhe të afërsisë.
Ndjenja kryesore e reflektuar në pikturat dhe shkrimet ishte mënyra se si dy vendet dhe njerëzit e tyre kanë qenë të lidhur në kohë të mira dhe të këqija dhe e kanë ndihmuar njëri-tjetrin.
Në ceremoninë e organizuar për ndarjen e çmimeve për punimet më të mira morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Tiranë Tayyar Kağan Atay, koordinatori i Fondacionit Maarif në Shqipëri Mesut Özbaysar, rektori i universitetit të vetëm të Maarifit në botë - Universitetit New York të Tiranës, që është prof. dr. Erkan Erdemir, drejtori i Institutit Yunus Emre në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani, si dhe mësues, prindër dhe nxënës.
Në fjalën e tij në ceremoni, ambasadori Atay i ka përmbledhur marrëdhëniet mes dy vendeve në tri fjalë: “afërsi, dashuri dhe mirësi”. “Admiroj punimet e bukura të fëmijëve. Uroj që marrëdhëniet mes dy vendeve të vazhdojnë për shumë shekuj. Është pikëllues fakti që 100-vjetori i marrëdhënieve tona përkoi me një vit kur ndodhi tërmeti, por jam mirënjohës për përpjekjet e ndihmës mes dy vendeve në momentet e vështira. Sidomos, jam shumë falënderues ndaj popullit shqiptar për ndihmën e tyre gjatë fatkeqësisë së tërmetit në Türkiye”, ka thënë Atay.
Koordinatori i Fondacionit Maarif për Shqipërinë, Özbaysar, gjithashtu ka vënë theksin mbi suksesin dhe sinergjinë e krijuar nga shkollat Maarif në Shqipëri.