Ministri italian i Drejtësisë viziton Shqipërinë / Photo: AA

Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, u prit sot nga homologu i tij në Tiranë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Pas takimit të zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, ministrat Manja dhe Nordio mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat. Fokusi i deklaratës u theksua në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e drejtësisë, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) si dhe çështje të tjera.

Ministri Manja deklaroi se vizita e homologut të tij italian është një shprehje e vullnetit për të çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin në fushën e drejtësisë mes dy vendeve.

"Rikonfirmuam edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Ky takim zyrtar pasqyron angazhimin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin tonë në fushat kyçe të drejtësisë, shpreh vullnetin politik mes dy qeverive dhe forcon marrëdhëniet mes dy vendeve tona, por ndan edhe sfidën e përbashkët për sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës", u shpreh Manja.

Manja tha se vendosën t’i japin përparësi ndihmës juridike të ndërsjellë në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe terrorizmit ndërkombëtar, kundër pastrimit të kapitaleve të paligjshme, në luftën kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe drogës.

Ministri Manja theksoi se u konfirmua mbështetja e palës italiane për perspektivën e Shqipërisë në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Në deklaratën e tij, ministri italian Nordio e konsideroi vizitën dhe miqësinë mes dy vendeve fqinje si një moment i rëndësishëm për vijimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Ndërkohë, në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë thuhet se dy ministrat gjatë takimit vendosën që të zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e legjislacionit, të bashkëpunimit gjyqësor, të funksionimit të institucioneve gjyqësore, të mbikëqyrjes së profesioneve të lira, të ekzekutimit të dënimeve, të administrimit të burgjeve dhe në trajnimin e personelit të burgjeve.

AA