Shqipëria ka hapur dyert për Türkiyen, ku do të zhvillohet Java e Kulturës Turke, e cila do të përfshijë aktivitete mbi promovimin e kulturës turke.
Në nisje të Javës së Kulturës Turke, në ambientet e Qendrës "Sotir Kolea" të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është hapur ekspozita me titull “Copëza nga Kultura Turke”, organizuar nën kujdesin e Institutit “Yunus Emre - Tiranë" dhe Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të ndryshme turke dhe shqiptare, studiues, nxënës dhe studentë.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, zv.ministri turk i Tregtisë, Mahmut Gürcan, u shpreh se Shqipëria është shtet me të cilin Türkiye i ka lidhjet shumë të vjetra dhe shtoi se Shqipëria është bërë një shtet shumë i rëndësishëm në Ballkan.
"Shteti ynë, nën kryesimin e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë shumë vepra të mira dhe e ka bërë Türkiyen shtet shumë të mirë, si nga ana ekonomike dhe nga ana e infrastrukturës. Në të njëjtën kohë, nuk e ka harruar as kulturën turke", tha Gürcan.
Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij ftoi të pranishmit të ndjekin aktivitetet që do të mbahen në kuadër të Javës së Kulturës Turke, ndërkohë ai falënderoi drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për mbështetjen për hapjen e ekspozitës.
"Türkiye dhe Shqipëria janë dy shtete me marrëdhënie strategjike. Kemi një histori që e kemi të përbashkët e që daton qindra vjet. Viti që kaloi shënuam 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona. Këto veprimtari i kemi shumë të rëndësishme ndërmjet dy shteteve", tha Atay.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, në fjalën e tij e konsideroi ekspozitën një ngjarje të rëndësishme. "Në emër të Bibliotekës (Kombëtare të Shqipërisë) shpreh gëzimin tim që patëm mundësinë të ndihmojmë për organizimin e aktivitetit. Është një aktivitet në vazhdën e një sërë aktivitetesh që ne kemi me Türkiyen, sidomos me Bibliotekën Kombëtare të Türkiyes, me të cilën ne kemi një marrëveshje prej disa vitesh", tha Misha.
Drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu, në fjalën e tij theksoi se Instituti ka marrë këtë emër pikërisht për të përçuar mesazhin universal të Yunus Emresë. “Falë kësaj ekspozite shohim nga afër se sa pranë njëri-tjetrit janë dy popujt tanë", tha Sakoğlu.
“Copëza nga Kultura Turke” përmban fotografi me përshkrime nga sitet arkeologjike, arkitektura, historia, arti dhe qytetet në Türkiye.
Në kuadër të Javës së Kulturës Turke u organizua edhe koncerti me titull “Perlat e muzikës turke”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke, artistëve dhe artdashësve të kryeqytetit të Shqipërisë, ndërkohë i njëjti koncert nesër do të mbahet në qytetin e Durrësit.
Në aktivitetin kulturor të organizuar në sallën e koncerteve "Tonin Harapi" në Liceun Artistik në Tiranë, vepra të Ahmet Adnan Saygun dhe Ulvi Cemal Erkin, në fushën e kompozimit të muzikës turke, u vendosen në skenë nga artistët e Operës dhe Baletit Shtetëror të Istanbulit.
Java e Kulturës Turke (12-15 shtator) organizohet në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, të Kulturës dhe të Inovacionit të Shqipërisë, mbështetur edhe nga institucione të tjera kulturore.
Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur deri më 15 shtator.