Një delegacion nga Policia e Türkiye-s ka realizuar një vizitë në Shqipëri, në kuadër të operacionit për arrestimin e themeluesit të platformës Thodex, Faruk Fatih Özer.
Sipas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, delegacioni turk që erdhi për vizitë "me qëllim shprehjen e falënderimeve për kapjen e shtetasit shumë të kërkuar" nga shteti turk, kryesohej nga Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, njëkohësisht edhe drejtor i Departamentit të Krimit të Organizuar, Resul Holoğlu.
Delegacioni nga Policia e Türkiye-s, u prit në takim nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë i caktuar në detyrë, Tonin Vocaj, dhe drejtues të tjerë të lartë të saj.
"Holoğlu, në emër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë turke dhe të ministrit të Brendshëm turk, i shprehu Vocajt, falënderimet dhe vlerësimet për Policinë shqiptare, për realizimin me sukses të operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit. Përfaqësuesit e Policisë turke vlerësuan punën e shkëlqyer të FAST Albania, të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për finalizimin e këtij operacioni. Gjithashtu ata kanë falënderuar strukturat e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, për shkëmbimin e shpejtë të informacioneve për këtë operacion", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Vocaj theksoi faktin se Policia shqiptare ka qenë e angazhuar maksimalisht për kapjen e të shumëkërkuarit, sipas tij duke zhvilluar shumë kërkime, në disa qarqe të vendit.
"Po ashtu, Vocaj evidentoi bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen e dhënë nga Policia turke, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë, duke e cilësuar si një kontribut mjaft të çmuar dhe të vlefshëm për Policinë e Shtetit. Në vijim të takimit, ai theksoi nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, në fushën e shkëmbimit të përvojës dhe eksperiencave, sidomos me Policinë Kriminale", theksohet më tej.
Gjithashtu theksohet se përfaqësuesit e Policisë turke vlerësuan bashkëpunimin dypalësh dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe mbështetjen për Policinë e Shqipërisë.
Themeluesi i platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua më 30 gusht në Shqipëri.
Sipas autoriteteve turke, Özer do të ekstradohet në Türkiye pas procesit gjyqësor në Shqipëri.
1 Sht 2022
Një delegacion nga Policia e Türkiye-s, për vizitë në Shqipëri
Delegacioni nga Policia e Türkiye-s u prit në takim nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë i caktuar në detyrë, Tonin Vocaj, dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shqipërisë.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.