Policia e Shqipërisë ka arrestuar një shtetas rus, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të mashtrimit, ndërkohë sipas autoriteteve shqiptare është arrestuar me qëllim për t'u ekstraduar në Rusi.
Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se 57-vjeçari rus është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi kërkohet nga Interpol Moska për mashtrim.
"Pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Moskës, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, shtetasi rus, i kërkuar ndërkombëtarisht, A. B., 57 vjeç, banues në Izrael", thuhet në njoftim.
Më tej, theksohet se i arrestuari akuzohet nga autoritetet ruse për mashtrim, ndërkohë nuk jepen më shumë detaje.
Sipas policisë, vijon bashkëpunimi me autoritetet ruse për ekstradimin e shtetasit në fjalë në Rusi.