Një shekull diplomaci me Türkiyen, aktivitet për Akif Ersoyin në Tiranë / Photo: AA

Në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri, në Tiranë është organizuar paneli i diskutimit me temë “Rikuptimi i poetit të himnit kombëtar, Mehmet Akif Ersoy”. Aktiviteti i organizuar nga Qendra e Studimeve Ballkanike pranë Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, në ambientet e kampusit të UNYT-së, filloi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmeteve shkatërrimtare në Türkiye të muajit shkurt, ndërsa pjesë e tij ishin drejtues të institucioneve turke në Shqipëri, studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pedagogë dhe studentë. Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij përshëndetëse, duke iu referuar tërmeteve në Türkiye, tha se Shqipëria ka qenë gjithnjë në solidaritet të plotë me Türkiyen. "Populli shqiptar dhe qeveria shqiptare kanë reaguar menjëherë duke nisur në terren ekipet e kërkim-shpëtimit në Türkiye dhe njëkohësisht populli shqiptar ka reaguar duke u tubuar nëpër sheshe në nderim të atyre që ndërruan jetë gjatë tërmetit dhe njëkohësisht bënë të mundur nisjen e ndihmave drejt Türkiyes", tha Atay. Duke theksuar se Mehmet Akif Ersoy është një vlerë historike e të dyja kombeve, Atay u shpreh se kombi shqiptar dhe kombi turk kanë shekuj të tërë që vazhdojnë të ecin në rrugë të përbashkët dhe, sipas tij, pothuajse kanë ndarë të njëjtin fat. "Si ambasador i Republikës së Türkiyes në Shqipëri ndihem shumë krenar që sot jemi këtu së bashku për të bërë të mundur përkujtimin e figurës së Mehmet Akif Ersoyit. Gjithmonë për popullin turk, shkrimet e Mehmet Akif Ersoyit kanë qenë burim dhe njëkohësisht referim për kombin turk", tha ai. Atay theksoi se në vitin 2023 kremtojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri. Prof. asoc. Lindita Xhanari Latifi, drejtoreshë e Qendrës së Studimeve Ballkanike pranë UNYT-së, tha se janë mbledhur për të përkujtuar një person shumëdimensional dhe shumë të veçantë që, sipas saj, ka tërhequr dhe vazhdon të tërheqë vëmendjen e studiuesve jo vetëm në Türkiye, por në mbarë botën. "Ky person është një nga më të rëndësishmit e letërsisë turke. Është një individ që me karakterin dhe vështirësitë që pati jeta e tij ngjallin një respekt të veçantë tek të gjithë, sepse është autori i himnit kombëtar të shtetit turk", tha Latifi. Një fjalë përshëndetëse për të pranishmit mbajti edhe Rektori i UNYT-së, prof. dr. Erkan Erdemir. Pjesë e panelit me kumtesat e tyre ishin drejtoresha e Qendrës së Studimeve Ballkanike pranë UNYT-së, prof. asoc. Lindita Xhanari Latifi, zv.rektori i Universitetit të New Yorkut në Tiranë, prof. asoc. Ilir Kalemaj, poetja nga Maqedonia e Veriut, Leyla Şerif Emin dhe historiani nga Kosova, Shasivar Kabashi.

TRT Balkan / agjencitë