Shqipëri, vazhdon stërvitja ushtarake e forcave speciale nga vendet e Ballkanit      / Foto: AA

Në Shqipëri vazhdon stërvitja e përbashkët e forcave speciale “Strong Balkan 23”, me pjesëmarrjen e ushtarakëve nga disa vende të Ballkanit.

Pjesë e stërvitjes janë trupa nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Türkiye, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia dhe Rumania.

Në kuadër të stërvitjes, sot është organizuar në fshatin Bizë në Qarkun e Tiranës dita e hapur për mediat, ku janë realizuar disa nga demonstrimet e stërvitjes.

Demonstrimet ishin mbi operacionet speciale në qendrat e banuara, goditjen e objekteve, evakuimin e të plagosurve, shpërthimet me eksploziv dhe operacione të tjera.

Sipas autoriteteve shqiptare, Stërvitja “Strong Balkan-23” zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe përfshin disa vende të Ballkanit, në nivel të forcave speciale.

Stërvitja zhvillohet me qëllim rritjen e nivelit të gatishmërisë dhe aftësive të forcave speciale në rajonin e Ballkanit dhe për të përmirësuar bashkëpunimin në operacionet e vështira.

“Strong Balkan 23”, e cila ka filluar më 1 nëntor dhe që organizohet nën kujdesin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, do të vazhdojë në disa zona të Qarkut të Tiranës deri më 9 nëntor.

TRT Balkan / agjencitë