Opozita proteston para bashkisë së Tiranës / Photo: AA

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” do të zhvillojë një tubim ditën e sotme, në orën 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.

Policia e Tiranës ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të këtij tubimi.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Tiranës njofton se, sot, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.

Për këtë arsye policia ka sugjeruar që të përdoren rrugët alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Policia u bën thirrje organizatërve për mënjanim të dhunës.

Në një njoftim të dhënë nga Policia e Tiranës thuhej se si rrjedhojë e disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, ose përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë.

Sipas policisë, këto akte më parë kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, përfundoi njoftimin Policia e Tiranës.

ATA