Kuvendi i Shqipërisë me 77 vota pro, në seancën e sotme plenare miratoi projektligjin “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.
Votimit pro iu bashkuan, përveç deputetëve socialistë, edhe deputetët e PDIU-së.
Edhe seanca e sotme u shoqërua me tensione pasi opozita vijoi me protestë duke vendosur zhurmues dhe duke bllokuar foltoren.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni nënshkruan në 6 nëntor në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të një qendre për strehimin e migrantëve.
Sipas marrëveshjes, qendra do të vendoset në Gjadër të Lezhës dhe do të ketë një kapacitet maksimal prej 3 mijë personash.
Marrëveshja parashikon që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga Italia, ndërsa pala italiane do të procedojë me kërkesat për azil.
Personat të cilëve nuk do t’u miratohet procedura e azilit do të riatdhesohen drejt vendeve të tyre, sipas marrëveshjeve dypalëshe që ka pala italiane me ato vende.