Ndërsa vijonte seanca plenare e Kuvendit të Shqiërisë dhe po votohej për projektligjet e rendit të ditës, deputeti demokrat Ervin Salianji bllokoi foltoren e Kuvendit dhe mori fjalën në shenjë proteste.
Nga pamjet e publikuara nga deputetët e opozitës të pranishëm në sallën e seancave plenare të Kuvendit, deputeti Salianji nga pamjet është parë teksa hedh edhe një tymuese në sallë.
Situatë kaotike në Kuvendin e Shqipërisë u krijua edhe para nisjes së seancës parlamentare. Deputetët e opozitës u përpoqën të bllokojnë punimet e seancës plenare të Kuvendit, duke përmbysur karriget dhe duke bllokuar foltoren. Ata thonë se nuk tërhiqen nga bllokimi i punimeve të Kuvendit derisa t’u zbatohet e drejta kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore. Po ashtu, deputetët e Rithemelimit dhe një pjesë e deputetëve të tjerë demokratë thonë se nuk mund të vendosë mazhoranca se kush e drejton grupin parlamentar të kësaj partie.
Edhe përkundër përplasjeve Kuvendi arriti të votojë projektligjet në rendin e ditës. Votimi u krye me kartona, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe një pjesë të sallës duke përmbysur karriget.