Rama: Deklarata e BE-së krijoi zhbalancim në momente dramatike në Kosovë / Foto: ATA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sqaroi sot, gjatë një konference për shtyp faktin se për herë të parë në të paktën 10 vitet e fundit Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së, lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës.

Rama tha se ky fakt ka shkaktuar për një pështjellim të kuptueshëm kur i është përcjellë Brukselit si një qëndrim i Shqipërisë.

“Jemi përpjekur qysh pardje paradite përpara moslinjëzimit, që deklarata të reflektonte edhe zhvillimet dramatike të ditëve të fundit. Konkretisht vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit të Kosovës, si dhe shpalljen e zisë kombëtare në Beograd për të vrarët në operacionin e forcave të sigurisë së Republikës së Kosovës”, tha Rama.

Sipas tij, “miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë pasi deklarata që edhe u publikua dje ishte në fakt konfirmim nga blloku i vendeve anëtare të BE-së, i qëndrimit publik të datës 20 shtator nga shefi i diplomacisë së BE-së Borrel, pas takimit të dështuar të 14 shtatorit mes dy liderëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.

“Ne i jemi përgjigjur se nuk kemi asnjë rezervë për deklaratën në vetvete lidhur me kritikat dhe kërkesat e BE-së ndaj Kosovës të cilat sipas nesh qëndrojnë plotësisht dhe Kosova duhet t’i reflektojë në pozicionin e saj në dialogun e normalizimit”, tha Rama.

Por, Kryeministri tha se “njëkohësisht kemi theksuar domosdoshmërinë sipas nesh që publikimi i kësaj deklarate duhet të bëhej njëkohësisht, ose të paktën të pasohej pa humbur kohë nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme që sapo përmenda”.

“Na u tha se kjo nuk është e mundur momentalisht dhe se deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë tanimë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare sipas procedurës së tyre dhe Shqipërisë i kërkohej linjëzimi me të si gjithmonë në 19 vitet e fundit. Përgjigjja jonë ishte negative dhe ky qëndrim yni nuk është pritur mirë nga Brukseli”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “jemi të keqardhur për këtë, por qëndrimi ynë nuk ndryshon”.

“Kjo nuk ka të bëjë aspak me përmbajtjen e deklaratës së publikuar dje, me të cilën jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë, por ky qëndrim ka të bëjë me zhbalancimin total që deklarata e djeshme krijon në këto momente kaq dramatike kur situata mund të përkeqësohet nga ora në orë, dita në ditë ose nga java në javë”, theksoi ai.

ATA