Shënohet 111-vjetori i Forcave të Armatosura të Shqipërisë      / Foto: Facebook: Edi Rama

Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot 111-vjetorin e Forcave të Armatosura.

“Në 111-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, efektivët tanë janë mishërim i përkushtimit ndaj sigurisë, lirisë dhe interesave të kombit tonë”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Më 4 dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Deralla (Tetova), ndërsa Shtabi i Përgjithshëm u krijua më 4 maj 1913 nën drejtimin e major Ali Shefqet Shkupi.

Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992, ku në qershor Shqipëria aplikon dhe pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC). Në mars të 1993 për herë të parë Shqipërinë e viziton Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Manfred Verner, dhe në maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.

111-vjetorin e Forcave të Armatosura e përshëndeti edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm si aleat dhe partner në NATO, ku do të vazhdojmë të jemi një forcë e fortë në skenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Për këtë festë ka shkruar edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.

Ai gjatë urimit të tij theksoi se një kapitull shumë i lavdishëm i forcave ushtarake të shtetit shqiptar është përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999.

“Një kapitull shumë i lavdishëm i forcave ushtarake të shtetit shqiptar është përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose duke ndihmuar me trajnime dhe armë”, shkroi Maqedonci.

TRT Balkan