Rama: Kemi marrëveshje partneriteti strategjik me presidentin Erdoğan / Photo: AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se kanë një marrëveshje partneriteti strategjik me Presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, dhe sipas kryeministrit Rama, presidenti turk nuk është antigrek.

Kryeministri Rama ka dhënë një intervistë për një media greke, me fokus çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili ndodhet në paraburgim dhe që ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Greqi, ndërkohë, ai është pyetur edhe për çështje të tjera.

Duke iu referuar marrëveshjes për zonat detare mes Shqipërisë dhe Greqisë të anuluar në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, Rama ka shtuar se "Presidenti Erdoğan kurrë, asnjëherë, po jua them këtë dhe është fjala ime kundër teorive konspirative, nuk më ka kërkuar, madje as më ka pyetur, çfarë po ndodh me këtë. Kurrë. Asnjëherë! Ai (Presidenti Erdoğan) nuk ka nevojë për Shqipërinë për të bërë betejat e tij".

Rama ka theksuar se presidenti Erdoğan nuk është antigrek.

"Presidenti Erdoğan është ai, që ju e dini shumë mirë besoj, që pati kurajën kur ende nuk ishte ky që është sot, por ishte vetëm kryeministër, të hidhte në tryezë një marrëveshje për Qipron, ju kujtohet, që ishte diçka mjaft e rrezikshme për karrierën e tij në Ankara dhe e bëri", është shprehur Rama.

"Pastaj gjatë krizës së rëndë që kaloi Greqia, (Presidenti Erdoğan) nuk e pashë të shfrytëzonte rastin që ta rëndonte ca më shumë, sepse, po të donte të shkatërronte Greqinë ose nëse ai ka ndërmend të shkatërrojë Greqinë, do ta kishte përdorur atë moment për ta bërë (krizën) më të dhimbshme, duke përdorur refugjatët e me radhë. Nuk e bëri. Vërtet, nuk e kam parë kurrë tek ai (Presidenti Erdoğan) një njeri që ushqen ndjenja të këqija ndaj Greqisë dhe popullit grek. Natyrisht, ai ka mendimin e tij lidhur me situatën mes jush, me çështjen e detit, po nuk i hyj kësaj, se nuk më takon mua", ka theksuar Rama.

Duke folur për Belerin dhe reagimet nga zyrtarët grekë për këtë çështje, Rama tha se "nuk jam dakord që një vend i huaj, një qeveri e huaj të bëjë komente të thella rreth veprimeve të sistemit të drejtësisë së një vendi tjetër, edhe duke qenë vende mjaft mike. Sipas meje, kjo nuk është evropiane".

Kujtojmë se më 12 maj, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsion aktiv në zgjedhje".

Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe në Greqi.


AA