Marrëveshja për emigrantët Shqipëri-Itali, në Gjykatën Kushtetuese      / Foto: AA

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur të kalojë në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës mbi "Protokollin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit", ndërkohë, kalimi për shqyrtim në seancë pezullon procedurat e ratifikimit në Kuvend.

Në një njoftim zyrtar të publikuar nga zyra e shtypit e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë thuhet se mbledhja e gjyqtarëve, e mbajtur më 13 dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim nga gjykata në seancë. Sipas gjykatës, seanca e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje do të zhvillohet më 18 janar 2024.

"Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore. Po ashtu, ata (deputetët) kanë paraqitur edhe kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i protokollit është planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023", theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit, bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se më 6 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nga partia opozitare Partia Demokratike dhe deputetë të tjerë opozitarë, paraqitën në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së protokollit.

Sipas deputetëve të opozitës, në lidhje me protokollin në fjalë "ka munguar në mënyrë të plotë transparenca" dhe kërkuan edhe pezullimin e procedurave për ratifikimin.

Më 6 nëntor 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit. Protokolli, që parashikon ngritjen në Shqipëri të qendrave të pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.

AA