Qeveria shqiptare i propozoi Kuvendit për shqyrtim e miratim projektligjin “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni nënshkruan në 6 nëntor në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të një qendre për strehimin e migrantëve.
Sipas marrëveshjes, qendra do të vendoset në Gjadër të Lezhës dhe do të ketë një kapacitet maksimal prej 3 mijë personash.
Marrëveshja parashikon që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga Italia, ashtu sikurse do të procedojë edhe kërkesat për azil. Personat të cilëve nuk do t’u miratohet procedura e azilit do të riatdhesohen drejt vendeve të tyre, sipas marrëveshjeve dypalëshe që ka pala italiane me ato vende. Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet.
Marrëveshja e nënshkruar përplasi pushtetin dhe opozitën si në Shqipëri, e po ashtu edhe në Itali, ndërsa në Shëngjin banorët lokalë javën që lamë pas dolën në rrugë për të kundërshtuar këtë marrëveshje.