Kuvendi i Republilkës së Shqipërisë ka miratuar pas një seance maratonë që vazhdoi deri në orët e vona pas mesnate, projektligjin për ndërtimin e Portit të ri të Durrësit.
Në sallë ishin të pranishëm 107 deputetë, ndërsa kjo marrëveshje u miratua me 76 vota pro dhe 35 dhe kundër.
Marrëveshja kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit”, u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se shteti nuk fal asnjë taksë në rastin e ndërtimit të Portit Turistik të Durrësit, por përfiton 1.069 miliardë euro nga taksat.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës që qeveria po fal 600-700 milionë euro në këmbim të një investimi prej 80 apo 120 milionë euro, Rama tha se “ne s’po falim asnjë gjë, asnjë metër tokë, por po japim të drejta zhvillimi mbi një pronë shtetërore, ku pikërisht pse është pronar për herë të parë, shteti është edhe ortak me një investitor të huaj, i cili investon të paktën 2.1 miliardë euro”.
Kreu i Ekzekutivit e cilësoi si investimin më të madh të huaj në historinë e vendit, i cili, sipas tij, do ta kthejë Durrësin në një portë të bukur të Mesdheut turistik dhe do t’i japë Shqipërisë një hov të madh drejt majës së vendit kampion të turizmit në Ballkan.
“Një projekt i qëndisur nga mjeshtrat e njërës prej kompanive më të mëdha prestigjioze ndërkombëtare, holandezja Royal Haskoning me të cilin kemi hapur me këtë projekt jo vetëm një dritare nga ku mund të shihet një e ardhmen e ndritur për Shqipërinë dhe për Kosovën si partnere në këtë vepër madhështore për ekonominë e së ardhmes, por dhe një kanal bashkëpunimi me NATO-n që ka shprehur interes të lartë dhe me të cilin po diskutojmë për përfshirjen në financimin e seksionit ushtarak të portit të ri”, deklaroi Kryeministri gjatë seancës së djeshme plenare.
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi dje gjatë debateve se me projektin e Portit të ri të Durrësit po falen 818 mijë m2.
Sipas tij, po falen 730 milionë euro nga pasuria e shqiptarëve.
“Ardhka ky këtu dhe harxhon 160 milionë milionë euro dhe ti i fal 730 milionë euro nga pasuria e shqiptarëve, 818 mijë m2 të zemrës së Shqipërisë, ia kafshon këtë pjesë të truallit të Shqipërisë dhe e fal për sadaka. 400 milionë euro është vetëm vlera e truallit”, deklaroi deputeti i PD-së.
Gjithashtu, Alibeaj tha se me këtë projekt shkelet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit lidhur me parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit.
Ndërtimi i portit të ri parashikohet të sjellë një vlerë prej 8 miliardë euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 ku parashikohen 12 000 apartamente.
Kostoja e investimit të projektit është parashikuar të jetë 2,081,347,054 euro. Investimi total në fazën e parë vlerësohet të jetë 595,256,904 euro dhe për fazën 2, 1,486,090,150 euro.
Nga investimi strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” që konsiderohet si projekti më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, 1.1 miliardë euro do të arkëtohen në formën e taksave në 20 vitet e ardhshme.
Në këtë projekt shteti do të ketë një kontribut me pjesëmarrje në vlerën nominale prej 220 milionë euro që përkthehet në taksën e infrastrukturës dhe strehimit social.
Marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa qeveria shqiptare zotëron 33% të aksioneve.
Gjithashtu, nga ndërtimi i portit të ri në Durrës parashikohet punësimi i 12 000 personave.
25 Nën 2022
Miratohet projektligji për ndërtimin e Portit të Durrësit
Pas një debati të gjatë në Kuvendin e Shqipërisë me 76 vota pro dhe 35 kundër deputet e miratuan projektligjin për Portin e Durrësit, projektin më të madh në rajon.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Miratohet pr/buxheti i vitit 2025 për Shqipërinë, në parim me 75 vota pro
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 8,2 miliardë euro ose 28,8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 406,1 milionë euro më shumë.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore