Në Tiranë është organizuar konferenca me temë “Transformimi spitalor: Autonomia spitalore dhe sfidat e së ardhmes”, me pjesëmarrjen drejtuesve të institucioneve të ndryshme, përfaqësuesve të spitaleve dhe ekspertëve të sektorit të shëndetësisë.
Konferenca është organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë me fokus diskutimet për sfidat dhe proceset drejt autonomisë së plotë spitalore, hapat që duhen ndjekur për të përmbushur kërkesat e këtij procesi si dhe rastet e praktikave më të mira të zbatuara nga vende të ndryshme.
Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, në fjalën e saj u shpreh se e mira e autonomisë spitalore qëndron në faktin se nuk është gjë tjetër veçse distancim i vullnetshëm dhe i dukshëm i politikës nga menaxhimi spitalor.
"Sfida në anë tjetër qëndron në faktin se ta zbatosh si duhet do duhet të zhvillosh një model menaxhimi i cili ndan funksionet e shtetit si politikbërës nga ai i rregullatorit, mbikëqyrësit dhe menaxherit të qendrave spitalore, duke minimizuar konfliktet potenciale të interesit. Është një model menaxhimi i cili minimizon ndërhyrjen politike të pronarit shtet duke sjellë më shumë profesionalizëm në menaxhimin dhe zhvillimin spitalor", tha ajo.
Koçiu theksoi se autonomia spitalore është një zgjedhje për të ofruar standarde më të larta për qytetarët shqiptarë.
Drejtuesja e Spitalit Rajonal Memorial në Fier, Rudina Degjoni, në fjalën e saj theksoi se autonomia spitalore në vetvete mbështetet në dy kolona kryesore, në autonominë menaxhieriale dhe autonominë financiare.
"Spitalit Memorial në Fier krijoi emrin e tij në rajonin e jugut duke ofruar shërbime shëndetësore për 500 mijë banorë të Qarkut të Vlorës, Qarkut të Fierit dhe Qarkut të Gjirokastrës, një spital i ndërtuar falë bashkëpunimit dhe donacionit të qeverisë turke", u shpreh Degjoni.
Kujtojmë se Spitali Rajonal Memorial në Fier është ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes dhe është hapur për shërbim ndaj qytetarëve në vitin 2021. Ky spital është spitali i parë publik që ka përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale.
Sipas autoriteteve shqiptare, autonomia spitalore u jep mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator për t’u vetdministruar nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare.