Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani njoftoi se është bërë i mundur kthimi shëndoshë e mirë i qytetarëve të cilët kishin mbetur të bllokuar në Lindjen e Mesme shkaku i tensioneve të ndodhura më 13 prill mes Iranit dhe Izraelit.
Sipas Hasanit, përmes një koordinimi të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, kanë punuar për të mundësuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë në gjendje të mirë, fluturimet e të cilëve për shkak të situatës së tensionuar në rajon ishin anuluar.
Në mesin e qytetarëve të bllokuar ishin 10 studentë të shkollave ndërkombëtare në Izrael, shtatë prej të cilëve ishin nga Shqipëria dhe tre të tjerë ishin shqiptarë të Kosovës.
Mësohet se pesë prej tyre, që ishin punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Ndërsa sot në mbrëmje të 15 qytetarët që lanë Tel Avivin udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës.
“Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielën, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës.” njoftoi ministri.
Ndërkaq, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, duke arritur kështu pranë familjeve të tyre në atdhe.
“Mirënjohje diplomatëve të Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, të cilët ndihmuan dhe asistuan qytetarët në këto orë të vështira.” u shpreh Hasani.