Peticioni i nënshkruar nga 800 persona kundër javës së Izraelit në Shqipëri nuk është trajtuar nga institucionet përkatëse. Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit te Shqipërisë zyrtarisht në fundjavë nisi Javën Kulturore Izraelite.
Ministri Blendi Gonxhja, përmes disa postimeve nga faqja e tij zyrtare në Instagram, bëri publike të shtunën videon promovuese dhe agjendën e Javës Kulturore Izraelite.
Aktivistë nga Shqipëria javën e kaluar dorëzuan në Bashkinë e Tiranës një letër me firmat e personave që bënin kërkesë për anullimin e Javës Kulturore Izraelite, me pretendimin se hapja e dyerve për Izraelin në këto kohë është e paprecedentë, për shkak të gjenocidit që po kryen në Gaza.
Sipas tyre, kjo është një lëvizje jo etike e qeverisë shqiptare pasi vetë Shqipëria ka kaluar nëpër ujëra të ngjashëm me ato të Gazës dhe populli shqiptar po ashtu ka qëndruar përherë pranë të prekurve, prandaj zhvillimi i këtij eventi nga MEKI duhej ndaluar.
Java izraelite është pjesë e një platforme javësh kulturore ndërkombëtare të organizuara nga MEKI-i, për të tretin vit me radhë, ku çdo javë i kushtohet një shteti të ndryshëm.