Katërmujori i parë i këtij viti numëroi 64.326 vizitorë në parqet arkeologjike të Shqipërisë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se kjo shifër është 69 për qind më e lartë se vizitueshmëria në katërmujorit të parë të vitit 2023.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, ministri kujtoi gjithashtu edhe orarin zyrtar në të gjitha parqet tona arkeologjike, i cili gjatë sezonit (maj-tetor) është më i zgjatur: nis çdo ditë në ora 9 dhe përfundon në 19:00.
Rritja e vizitueshmërisë në parqet arkeologjike ashtu edhe nëpër institucionet e tjera të trashëgimisë kulturore, ka ardhur gjithnjë në rritje ashtu si edhe rritja e numrit të turistëve në vend.
Parqet arkeologjike janë hapësira ku natyra e bukur shqiptare ndërthuret me trashëgiminë kulturore. Dhe shifrat tregojnë se nga viti në vit vizitorët, shqiptarë e të huaj po kuptojnë vlerat që përcjellin hapësira të tilla.
Kalatë historike të Shqipërisë, muzetë dhe parqet falë restaurimeve të kryera viteve të fundit janë kthyer në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj.