Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në emër të qeverive respektive kanë nënshkruar Marrëveshje të Bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri për organizimin e Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030".
Kjo marrëveshje do ta mundësojë organizimin e sportit të lundrimit në qytetin e Durrësit në Shqipëri, njëherësh zyrtarizon Durrësin si një nga qytetet mikpritëse të Lojërave Mesdhetare 2030.
“Puna jonë e përbashkët është një nga hapat e këtij rrugëtimi, i cili do ta bëjë Kosovën vendin mirëpritës për sportistët e 26 shteteve nga 3 kontinentet e Mesdheut”, është shprehur Kryeministri i Shqipërisë në Facebook.
Nga ana tjetër, kreu i shtetit të Kosovës ka publikuar disa fotografi në Instagram ku shkruan se, “Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira edhe e rritin imazhin e kombit shqiptar, kësaj radhe duke e dëshmuar institucionalisht traditën tonë të mirënjohur të mikpritjes edhe në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare.
Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030" do të jenë ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit, që përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive kurse përmes mikpritjes në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.
Më 21 nëntor të këtij viti, Kosova finalizoi projektligjin me të cilin do të rregullohen përgatitjet adekuate për organizimin e Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030".
Sipas këtij projektligji, Komiteti Organizativ do ta udhëheqë projektin më të madh sportiv në historinë e Kosovës. Ai do të përbëhet nga ministra të Qeverisë, përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, nën udhëheqjen e Kryeministrit Kurti në cilësinë e kryesuesit të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030".