Shqipëria drejt zgjedhjeve vendore, pesë sfiduesit e Veliajt në kryeqytet / Foto: AA

Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën e etheve zgjedhore, ndërsa zyrtarisht fushata e zgjedhjeve vendore fillon të premten, më 14 prill. Në këto zgjedhje votohet për kryebashkiakët e 61 bashkive dhe anëtarët e Këshilleve Bashkiake.

Do të jetë ky një tjetër test për qeverinë e kryeministrit Edi Rama, pas fitores në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2021 të cilat i siguruan atij mandatin e tretë si kryeministër.

Retorika mes rivalëve tashmë është ashpërsuar, ndërsa më së shumti vëmendje tërheq kryeqyteti.

Gara për Tiranën

Kryetari aktual, Erion Veliaj, kërkon mandatin e tretë në krye të Tiranës në zgjedhjet e 14 majit.

Pesë kundërkandidatë do ta sfidojnë atë në një garë të vështirë për t’u parashikuar, por të kryesuar nga kryetari aktual sipas sondazheve vendase.

Atij i shkon për shtati edhe kontesti legal i PD-së, e cila do të dalë e përçarë në këto zgjedhje.

Sfiduesit e Veliajt janë Belind Këlliçi i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Roland Bejko i PD-së zyrtare, Lajlja Përnaska nga PDIU, Arlind Qori i lëvizjes “Bashkë” dhe Marko Dajti nga “Fronti i Majtë.

PD-ja e përçarë dhe çështja e vulave të partisë

Partia më e madhe opozitare, PD-ja, viteve të fundit kaloi një proces të vështirë të përçarjes së brendshme. Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe kryetar i kësaj partie, Sali Berisha, kërkoi rrëzimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili udhëhoqi partinë nga viti 2013 deri në vitin 2022.

Pavarësisht dorëheqjes së deklaruar të Bashës në mars të vitit 2022, ai nuk e shoqëroi dorëheqjen me procedurat e domosdoshme juridike.

Si pasojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e regjistroi PD-në e udhëhequr nga ushtruesi i detyrës kryetar Enkelejd Alibeaj, duke mos e njohur si Partia Demokratike subjektin e udhëhequr nga Sali Berisha.

Berisha më 14 maj garon në kuadër të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, me Partinë e Lirisë të Ilir Metës.

Koalicioni Berisha-Meta garon në të gjitha 61 bashkitë, me moton “Ndryshimi fillon nga duart e tua”.

Nga ana tjetër, PD-ja zyrtare e Alibeajt do të ketë kandidatë në 19 bashki.

TRT Balkan