Shqipëria merr për herë të dytë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së / Foto: AA

Shqipëria fillon më 1 shtator 2023 Presidencën e saj të dytë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në një deklaratë për mediat në lidhje me këtë çështje, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se mbajtja e Presidencës së Këshillit të Sigurimit i jep Shqipërisë mundësinë të përcaktojë në një masë të madhe, në konsultim të ngushtë me aleatët e partnerët, se cila do të jetë agjenda e Këshillit për muajin shtator.

"Kjo Presidencë shqiptare e Këshillit të Sigurimit vjen në një moment vërtet të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash dhe konfliktesh shumë serioze, që nga Ukraina e deri te kriza e pasigurisë së ushqimit si pasojë e luftës në Ukrainë dhe politikave që po ndjek Rusia, që nga Jemeni, Sudani e Lindja e Mesme në tërësi, e deri te kriza e pasiguria që mbizotëron sot në Sahel", tha ajo.

Xhaçka tha se janë dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence, si platforma e bashkëpunimit mbi shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë dhe "agresioni i paligjshëm rus kundër Ukrainës”.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, ajo tha se "kjo është një nga çështjet me të cilat ne kemi punuar më shumë, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një çështje e cila realisht ka shënjuar mandatin tonë dhe ka bërë që Shqipëria të fitojë respektin dhe admirimin e partnerëve e aleatëve për seriozitetin, profesionalizmin dhe guximin me të cilin ka punuar për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB-së, Ukrainën, e për të dënuar Rusinë".

Xhaçka theksoi se gjatë shtatorit do të ketë edhe shumë aktivitete e ngjarje të tjera të rëndësishme, pasi, sipas saj, agjenda e Këshillit të Sigurimit është vërtet intensive.

Më 1 shtator 2023 Shqipëria merr për herë të dytë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe do ta mbajë gjatë muajit shtator. Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023. Presidencën në KS-OKB e ka marrë edhe më parë në periudhën 1 qershor-30 qershor 2022.

AA