Të rinjtë në Shqipëri mësojnë turqisht falë kurseve që ofron Yunus Emre           Foto: AA

Studentë, nxënës dhe persona të tjerë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë vazhdojnë të tregojnë interes për mësimin e gjuhës turke, por edhe për njohjen nga afër të kulturës turke.

Në Institutin "Yunus Emre" në Tiranë vazhdojnë kurset e gjuhës turke në disa nivele që kanë nisur në fillim të shkurtit. Të rinjtë shqiptarë e zgjedhin turqishten për disa arsye, si për synimet që kanë për të kryer studimet në Türkiye, dëshira për ta njohur këtë gjuhë, pasioni për të mësuar gjuhë të huaja dhe për qëllime të tjera studimore dhe historike.

"Gjuhën turke e dua si gjuhën shqipe"

Bijanka Shkurti, 21-vjeçe, aktualisht është studente e nivelit master për marrëdhënie me publikun dhe reklamat në Universitetin "Hacı Bayram Veli" në Ankara, ndërkohë ajo ka ndjekur disa kurse për gjuhën turke në Shqipëri.

Për Anadolu ajo tregon se turqishtja ka qenë ëndrra e saj që kur ka qenë e vogël dhe fillimisht ka nisur ta mësojë nga telenovelat dhe se kjo ishte arsyeja pse ajo zgjodhi të studiojë në Türkiye.

"Kurset i kam nisur që kur kam qenë në vit të parë në gjimnaz në Institutin ‘Yunus Emre’ në Tiranë dhe për këtë arsye jam e lumtur që e mësova gjuhën akoma më mirë, jo vetëm gjuhën, por edhe kulturën turke. E dua si gjuhën shqipe, e ndiej si gjuhë të dytë amtare dhe për këtë arsye e flas me dëshirë të madhe", shprehet ajo.

Simon Rrodhe, 20-vjeç, studion për përkthim dhe interpretim në gjuhën angleze në Universitetin e Tiranës, ndërsa ai tregon se i pëlqen gjuha dhe kultura turke. Ai tregon se arsyeja pse e ka zgjedhur ta mësojë turqishten është se dëshiron të ndjekë studimet master në Türkiye për letërsi turke.

"Gjuha turke më pëlqen duke qenë se kemi kultura dhe tradita të njëjta. Gjithashtu më pëlqen shumë letërsia turke. Mendoj se do të jetë një avantazh i mirë nëse unë shkoj në Türkiye për të bërë një master. Sa më shumë gjuhë të dish aq më mirë është", shprehet Rrodhe.

Klea Beqari, 21-vjeçe, studion në master shkencor në degën gjuhësi e sotme në Universitetin e Tiranës, ndërsa tregon se ka shfaqur interes për turqishten pasi në të ardhmen mund të merret me përkthime ose mund të japë mësim në gjuhën turke.

"Instituti 'Yunus Emre' ofronte kurse të gjuhës turke, gjë që mua më pëlqente, kisha hobi të mësoja gjuhë të huaja. Zgjodha turqishten sepse e shikoj që ka shumë të përbashkëta me gjuhën tonë. Kemi dhe një lidhje historike të vjetër", tha Beqari, duke theksuar se e ka tërhequr kultura, njerëzit dhe kuzhina turke gjatë vizitave në Türkiye.

"Kam ëndërr për të vazhduar studimet në Türkiye për aktrim"

Ajsa Çela, 17-vjecçe, është nxënëse në shkollën e mesme publike "Besnik Sykja" në Tiranë, ndërkohë ajo shprehet se ka ëndërr të studiojë në Türkiye.

"Aktualisht vazhdoj kursin e turqishtes këtu në Institutin 'Yunus Emre' në Tiranë. Kjo ka ardhur si pasojë e dëshirës time që kur kam qenë e vogël për të mësuar gjuhën turke për shkak të ëndrrës që unë kam për të vazhduar studimet në Türkiye për aktrim", tregon ajo.

Çela thekson se është një vizitore shumë besnike e Türkiyes dhe e ka vizituar mbi 12 herë, siç tregon ajo, për faktin se e ka tërhequr shumë si vend, njerëzit, bukuritë natyrore dhe kultura.

Erisilda Meta, 21-vjeçe, aktualisht studion për histori në Universitetin e Tiranës, por ndjek edhe kursin e gjuhës turke në Institutin "Yunus Emre" në Tiranë. Ajo tregon se ka zgjedhur të mësojë turqishten, sepse në të ardhmen mund të shkojë me studime në Türkiye dhe se mund ta ndihmojë në profesionin e saj.

"Unë e kam vizituar Türkiyen, më pëlqen shumë si gjuha dhe kultura, sepse është një ndërthurje mes Azisë dhe Evropës, një ndërthurje e kulturës", tregon ajo.

Rigerta Mavriqi, 20-vjeçe, studion për drejtësi në Universitetin e Tiranës, ndërkohë ajo tregon se fillimisht turqishten e ka mësuar nga kurset e institutit.

"Dëshira më e madhe ka qenë që të studioja në Türkiye dhe e kam pasur dhe pasion (ta mësoj) si gjuhë. Gjithmonë më ka pëlqyer kultura turke, gjuha, njerëzit që janë miqësorë dhe kanë një kulturë shumë të përafërt me kulturën tonë", tregon ajo.

Instituti "Yunus Emre" në Tiranë u hap në vitin 2009 dhe më pas në vitin 2012 edhe në qytetin e Shkodrës. Që prej hapjes së institutit në Shqipëri, me mijëra nxënës, studentë dhe persona të tjera të moshave të ndryshme kanë frekuentuar kurset e gjuhës turke.

Mbi 10 mijë persona në Shqipëri kanë ndjekur kurset e rregullta të gjuhës turke në Institutin "Yunus Emre" në Tiranë dhe Shkodër, në shkollat verore të institutit, kurset në institucione të tjera arsimore, si në shkolla publike dhe private, si dhe në universitetet në vend që instituti ka bashkëpunim.

TRT Balkan / agjencitë