Sektori i turizmit ka sjellë nivel rekord të ardhurash në ekonomi në 6-mujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave tregojnë se, në 6-mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total 1,55 miliardë euro.
Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90 dhe reflekton kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik këtë vit.
Sipas BSh-së, shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Referuar të dhënave, në tremujorin e dytë, shpenzimet e të huajve arritën në 930 milionë euro, me rritje prej gati 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932. Ky numër është rritur me 33%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.