Vijojnë protestat për "denoncimin e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës"      Foto: AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", organizuar nga partitë opozitare dhe me mbështetjen e aktivistëve të shoqërisë civile.

Protesta e radhës u organizua nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe aktivistë para selisë së Bashkisë së Tiranës, edhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Edhe protesta e sotme nisi me tensione për shkak të bllokimit të qarkullimit të automjeteve nga protestuesit në rrugën para selisë së Bashkisë së Tiranës.

Zv.kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se protestat janë legjitime dhe tërësisht ligjore.

"Ne nuk tërhiqemi. Tirana dhe Shqipëria meritojnë shumë më tepër. Meritojnë një ekonomi më të mirë dhe një shtet ligjor, por mbi të gjitha meritojnë dinjitet", tha Teliti.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, u shpreh se duhet ta zgjerojnë aksionin e tyre. "Kjo protestë është e lajmëruar dhe normalisht policia e shtetit duhet t'u sigurojë qytetarëve të drejtën për të protestuar", tha Balliu.

Sekretari i përgjithshëm i PL-së dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, u shpreh se duhet rezistencë dhe përballje, sepse sipas tij "Bashki tanimë ju përket qytetarëve".

Protestat

Në Shqipëri janë organizuar për muaj me radhë gjatë vitit 2024 protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.

Protestat kundër kryebashkiakut Veliaj nisën në fillim të prillit 2024 dhe aktualisht kanë rifilluar.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të vitit të kaluar të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive".

TRT Balkan / agjencitë