ShBA-ja kërcënon aleatët, sanksione nëse zbatojnë urdhërarrestin e GjNP-së      Foto: AA

Senatori republikan amerikan Lindsey Graham kërcënoi të vendosë sanksione ndaj aleatëve të ShBA-së nëse ata zbatojnë urdhrat e arrestit të lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjNP) për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant.

"Çdo aleati, Kanada, Britani, Gjermani, Francë, nëse përpiqeni të ndihmoni GjNP-në, ne do t’ju vendosim sanksione," tha Graham për Fox News në një intervistë të dhënë të premten në mbrëmje.

"Nëse si komb ndihmoni GjNP-në dhe zbatoni urdhrin e arrestit kundër Bibit (Netanyahu) dhe Gallant-it, ish-ministrit të mbrojtjes, unë do t’ju vendos sanksione si komb," tha ai.

"Do t’ju duhet të zgjidhni mes GjNP-së së paligjshme dhe Amerikës," shtoi Graham.

GjNP-ja njoftoi në një lëvizje historike të enjten se kishte lëshuar urdhra arresti për Netanyahun dhe Gallantin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 44.000 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 104.000 të tjerë.

Izraeli gjithashtu është përfshirë në luftëra ndërkufitare me Libanin, duke nisur një fushatë ajrore në fund të shtatorit kundër asaj që pretendon të jenë objektiva të Hezbollahut.

Mbi 3.600 njerëz janë vrarë, me më shumë se 15.300 të plagosur dhe mbi një milion të zhvendosur që nga tetori i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze. Izraeli përballet me një rast gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë