Operacionet e kërkim-shpëtimit janë pezulluar dhe tani po punohet për nxjerrjen e trupit, thanë zyrtarët disa orë pas përplasjes së një avioni pasagjerësh dhe një helikopteri ushtarak pranë Uashingtonit, kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve, ne tani po kalojmë nga operacionet e shpëtimit në operacionet e nxjerrjes," tha të enjten John Donnelly, shefi i Shërbimeve Mjekësore të Zjarrfikësve dhe Urgjencës në Uashington, duke shtuar:
“Për momentin nuk besojmë se ka ndonjë të mbijetuar nga ky aksident”.
Nga avioni u nxorrën trupat e 27 personave dhe nga helikopteri i një viktime.
Të mërkurën në mbrëmje, një aeroplan pasagjerësh i American Airlines dhe një helikopter i ushtrisë amerikane Black Hawk u përplasën në ajër pranë aeroportit Ronald Reagan të Uashingtonit.
Avioni, me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, ishte duke u nisur nga Kansas. Në helikopterin, i cili ishte në një fluturim stërvitor, ishin tre ushtarë.