Ambasadori i Republikës së Türkiyes në Serbi Hami Aksoy tha se marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Serbisë aktualisht janë në nivelin më të lartë në histori.
"Marrëdhëniet tona në fushën politike, ekonomike, kulturore dhe të tjera janë shumë intensive dhe të forta. Kjo është thelluar më tej në kuptimin juridik sepse kemi formuar Këshillin e Lartë për Bashkëpunim me Serbinë. Vitin e kaluar është mbajtur mbledhja e tretë e Këshillit. Vitin e ardhshëm, me pjesëmarrjen e presidentit tonë, është takimi i katërt. Në këto takime në pesë vitet e fundit janë nënshkruar 26 marrëveshje me Serbinë”, tha ambasadori Aksoy në një intervistë për Anadolu.
Ai përkujtoi se rregullisht kryejnë edhe vizita të ndërsjella të nivelit të lartë dhe vizita e fundit e tillë ishte vizita e ministrit turk të mbrojtjes Yasar Guler në Serbi në tetor të këtij viti.
“Ne duam të thellojmë më tej marrëdhëniet me Serbinë në fushën e industrisë së mbrojtjes”, tha Aksoy.
Ai theksoi se misionet diplomatike të hapura në vend në dy vitet e fundit janë tregues i rëndësishëm i marrëdhënieve me Serbinë.
Aksoy vlerësoi veçanërisht marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, duke theksuar se ato bashkëpunojnë në shumë fusha.
"Vitin e kaluar vëllimi i shkëmbimit tonë tregtar theu një rekord prej 2,35 miliardë dollarë. Këtë vit ne po përpiqemi ta ruajmë atë nivel. Investimet turke në Serbi në dhjetë vitet e fundit janë rritur nga një milion dollarë në 400 milionë dollarë. Kjo është me të vërtetë një rritje e madhe", shtoi Aksoy.
Më pas, ai theksoi veçanërisht rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e turizmit dhe vizitave të ndërsjella turistike.
Ambasadori Aksoy gjithashtu theksoi se qytetarët serbë janë shumë të interesuar për serialet turke.
"Pothuajse çdo shtëpi shikon seriale turke. Kjo e bën Türkiyen edhe më tërheqëse këtu. Për shkak të këtyre serialeve, veçanërisht qytetarët e rinj të Serbisë mësojnë gjuhën turke. Ky dimension i marrëdhënieve ndërpersonale është ndoshta më i rëndësishëm se të gjitha dimensionet e tjera", tha Aksoy.
Në fund ai foli edhe për çështjen e emigrantëve nga Türkiye që përpiqen të arrijnë në Bashkimin Evropian përmes Serbisë, duke shpjeguar se tashmë kanë zhvilluar një takim me drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe se të dyja palët kanë arritur marrëveshje për formimin e një grupi pune për t'u marrë me çështjen e migrimit të paligjshëm dhe luftën kundër kontrabandës së emigrantëve.