Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ka thënë se Türkiye e mbështet tranzicionin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) ashtu sikurse anëtarët e tjerë të Aleancës Veriatlantike (NATO).
Ambasadori Angılı gjatë një interviste për një media vendore në Kosovë ka thënë se Türkiye dhe Kosova janë partnerë strategjikë, derisa ka theksuar se dy fushat më të rëndësishme në të cilat Türkiye dhe Kosova kanë bashkëpunim janë siguria dhe ekonomia.
Sa i përket njërit ndër bashkëpunimeve të fundit në fushën e sigurisë, atë të blerjes së dronëve "Bayraktar" të Türkiyes nga Kosova, Angılı tha se ky bashkëpunim Türkiyes me Kosovën nuk është kundër ndonjë vendi të tretë, përfshirë Serbinë. "Kohët e fundit filloi të konsolidohet një perceptim se roli i Türkiyes është vetëm në fushën e bashkëpunimit të mbrojtjes. Kjo nuk është e vërtetë. Ashtu si anëtarët e tjerë të NATO-s, ne mbështesim tranzicionin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s. Në këtë proces ne mbështesim FSK-në si aleatët e tjerë të NATO-s. Deri më tani, blerjet e reja ushtarake nuk janë në agjendën tonë. E rëndësishme është që qëllimi i tyre është mbrojtës dhe bashkëpunimi ynë në mbrojtje është plotësisht në përputhje me kornizën e NATO-s dhe jo kundër ndonjë vendi të tretë përfshirë Serbinë", theksoi Angılı.
Angılı tha se mbështesin fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se "nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë çështje", por "vetëm një zgjidhje diplomatike do të siguronte stabilitet të qëndrueshëm" dhe se "Türkiye do të jetë e gatshme të kontribuojë në këtë proces nëse të dyja palët dëshirojnë ta bëjmë këtë".
Sa i përket bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, ambasadori turk ka theksuar se investimi i Türkiyes në Kosovë është rreth 10 për qind e të gjitha investimeve të Türkiyes në Ballkan.