I dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, tha se samiti i Forumit Ekonomik Botëror në Davos, do të jetë “dinamik” dhe shtoi se gjatë kësaj jave do të ketë takime të shumta bilaterale.
Duke përmbledhur javën e kaluar, ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se në një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, ka theksuar se ka zhvillime pozitive në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, siç është njohja e targave RKS për automjetet, duke e vlerësuar si një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin.
“Progres i rëndësishëm është arritur edhe në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë”, tha Lajçak, duke aluduar për progresin drejt zbatimit të marrëveshjes për energji elektrike në katër komuna në veri të Kosovës.
Duke folur për samitin në Davos, ku do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Lajçak tha se do të marrë pjesë në disa panele dhe do të ketë takime të shumta bilaterale.
Lajçak tha se në javën e parë të punës të vitit 2024 ka vizituar Francën, ku, ndër të tjerësh, është takuar edhe me këshilltarin special të presidentit të Francës Emmanuel Macron, Emmanuel Bonn.