Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Beograd, ka diskutuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe rëndësinë e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
"Për dy dekada, KFOR-i ka garantuar një mjedis të sigurt në Kosovë për të gjitha komunitetet. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Në maj, forcat tona të KFOR-it u sulmuan, 93 prej tyre u plagosën, disa pësuan lëndime që ndryshojnë jetën. Në shtator, ne pamë një shpërthim tjetër dhune në Kosovë dhe kjo është e papranueshme. Ata që e bënë këtë duhet të dalin para drejtësisë. Ne vërtet e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në këto përpjekje", tha Stoltenberg.
Ai kujtoi gjithashtu se aleanca e NATO-s dërgoi trupa shtesë në Kosovë pas dhunës.
"Pas kësaj dhune, NATO-ja vendosi një mijë ushtarë shtesë dhe armë të rënda në Kosovë. Ky ishte përforcimi më i fuqishëm dhe më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në dekadën e kaluar dhe tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen dhe mirëpret koordinimin e ngushtë mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it", tha Stoltenberg.
Ai theksoi se të gjitha palët duhet të ulin tensionet dhe të përmbahen nga përshkallëzimi i veprimeve.
"Siç i thashë presidentit Vuçiq, grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe pranë vijës kufitare nuk do ta ndihmonte situatën dhe unë vërtet e mirëpres dhe mbështes formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, si çelës për normalizimin e marrëdhënieve. Ftoj Beogradin dhe Prishtinën të angazhohen në dialog nën patronazhin e Bashkimit Evropian. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm", tha kreu i NATO-s.
Sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe ngjarjet që karakterizuan veriun e Kosovës, Stoltenberg i dënoi një ditë më parë edhe gjatë qëndrimit në Prishtinë.
Kreu i NATO-s filloi turneun në Ballkan të dielën në Sarajevë dhe do ta përmbyllë me vizitën në Maqedoninë e Veriut.