Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur sot se mbështetja financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe hapja e shtigjeve të integrimit në tregun e bashkuar europian, pa pritur anëtarësimin në BE, ishin në fokus të takimit informal të zhvilluar sot në Tiranë me krerët e vendeve të rajonit dhe komisarin për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi.
Gjatë një konference për mediet, kryeministri Rama bëri të ditur se takimi informal u fokusua mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Shqipëria do të mikpresë samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë BE-së në tetor dhe për këtë ne jemi angazhuar shumë seriozisht me Kancelarinë në Gjermani, por edhe me aktorë të tjerë, që ky samit të ketë një produkt domethënës për Ballkanin Perëndimor dhe të shërbejë për të hedhur një hap të rëndësishëm më tutje në raport me ato që Procesi i Berlinit ka në bazën e vet, që janë lehtësimet e vazhdueshme në ndërveprimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.
Rama theksoi se synohet që kjo të shërbejë edhe për të hedhur një hap të rëndësishëm në raportet e BP-së me BE-në.
“Për këtë të dytën ne ishim sot këtu në Tiranë me komisarin Varhelyi, i cili mbulon rajonin dhe ka për detyrë trajtimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me Zgjerimin dhe Fqinjësinë, dhe për këtë diskutuam”, informoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria prej disa kohësh është në një përpjekje për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në raport me Ballkanin Perëndimor, në aspektin e hendekut që ekziston përmes vendeve anëtare dhe vendeve tona, sidomos pas goditjeve të njëpasnjëshme të pandemisë, krizës energjetike në tërësi, konfliktit në Ukrainë, që ka bërë që BE-ja të shpërndajë fonde shumë të konsiderueshme në mbështetje për vendet anëtare.
Kjo, sipas tij, e ka zgjeruar hendekun mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare, në aspektin e kapaciteteve plus mundësive të brendshme të çdo vendi, duke marrë parasysh jo vetëm këtë pasojë, por edhe kontekstin e përgjithshëm dhe të gjitha sfidat që sot janë të përbashkëta sa edhe të përveçme.
“Ne jemi përpjekur edhe duke u koordinuar me të tjerët të krijojmë një tjetër qasje, paralelisht me ecurinë e procesit të negociatave të kemi një mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është diçka që ka filluar të formësohet dhe një Plan i Ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor është duke u përgatitur. Për këtë ishim me Komisarin për të diskutuar, konsultuar, ndarë opinione, për se si mund të mbështeten më shumë financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mund t’u hapen disa shtigje të integrimit në tregun e bashkuar europian, pa pritur që ato të anëtarësohen në BE”, bëri të ditur Rama.
17 Kor 2023
Takimi rajonal në Tiranë: Pako e re financiare nga BE-ja
Një Plan i Ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor është duke u përgatitur, njoftoi kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Kompania turke e mbrojtjes “ASELSAN” hap selinë e saj në Ballkan
“Kjo zyrë është hapur këtu në një lokacion që do të mund të arrijë në çdo vend të këtij rajoni, që ne e quajmë Ballkan, për të rritur cilësinë e shërbimeve që do të ofrohen.” tha Presidenti i Industrive Turke të Mbrojtjes Haluk Görgün.
Myftiu i Kosovës Tërnava ka pritur në takim Reisin e Malit të Zi Fejziq
Myftiu Tërnava shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit të mirë në mes të dy institucioneve, pasur parasysh se në Mal të Zi ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve të fesë islame, thotë Bashkësia Islame e Kosovës.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore