Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka deklaruar se rajoni i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n, por se ekzistojnë edhe arsye për shqetësim.
Pas vizitës së tij në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), Kosovë dhe Serbi, shefi i NATO-s qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut ku së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski pritën në një takim presidentin e Kroacisë Zoran Millanoviq, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Malit të Zi Milojko Spajiq, pas të cilit mbajtën konferencë të përbashkët për media.
Stoltenberg në fjalën e tij theksoi se sapo mbaruan një "takim interesant" ku kanë adresuar sfidat e përbashkëta të sigurisë me të cilat "të gjithë ne përballemi në Ballkanin Perëndimor". Ai tha se në takim diskutuan çështjet rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
"Ky rajon është me rëndësi strategjike për NATO-n, por ekzistojnë arsye për shqetësim. Ne shohim kërcënime secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, situatë të brishtë të sigurisë në Kosovë dhe normalizim të ngecur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në krye të kësaj, shtetet autoritare si Rusia kërkojnë të minojnë demokracitë tona me kërcënime kibernetike dhe hibride", theksoi Stoltenberg.
Më tej, shefi i NATO-s tha se në turneun e tij në rajon në çdo ndalesë e ka bërë të qartë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjitha palët duke zgjedhur dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit.
"Dhënia fund e retorikave secesioniste do të nxisë stabilitet dhe do të mundësojë reforma në Bosnjë e Hercegovinë. Riangazhimi në dialogun e lehtësuar të BE-së është thelbësore për rrugën e Beogradit dhe Prishtinës drejt paqes dhe stabilitetit. Propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumë serbe në Kosovë mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara. Është koha të tejkalojmë konfliktet rajonale që kanë vazhduar për shumë kohë", deklaroi Stoltenberg.
Kovaçevski: Maqedonia e Veriut është faktor stabiliteti në rajon
Ndërkaq, kryeministri Kovaçevski tha se në takim është diskutuar për sfidat që kanë të bëjnë me sigurinë rajonale si dhe sigurinë kibernetike si një çështje që prek të gjithë vendet e rajonit.
"Si aleatë, si demokraci, si liderë progresivë, ne po ndërtojmë një rajon të ri dhe po e avancojmë vazhdimisht. Kjo mund të thuhet pa dyshim për Maqedoninë e Veriut, e cila ka qenë prej kohësh shembull i bashkëjetesës, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut për reforma dhe praktikimin e demokracisë si dhe gjithëpërfshirje në vendimmarrje", tha Kovaçevski.
Rama: Kufiri Kosovë-Serbi "faktikisht është jashtë kontrollit"
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nga ana e tij, njoftoi se në takim shefi i NATO-s e priti me interes propozimin për të ndërtuar një format të një samiti të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, ndërsa më tej kryeministri shqiptar foli edhe për tensionet e fundit në Kosovë.
"Dëshiroj të theksoj se jam i keqardhur, për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës. Ka ndodhur një ngjarje tragjike e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike. Duhet me çdo kusht të mos përsëritet", u shpreh Rama.
Ai tha se ka theksuar sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave në NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili sipas tij "faktikisht është jashtë kontrollit".
Presidenti kroat: Samiti i mundshëm NATO-Ballkani Perëndimor është "propozim i mençur"
Presidenti kroat Zoran Millanoviq, në fjalën e tij, e vuri theksin në propozimin e kryeministrit Rama për një samit të mundshëm të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, të cilin e vlerësoi si një propozim të mençur dhe të mirëseardhur.
"Propozimi që të mendohet për një forum në të cilin do të bashkoheshin këto shtete, shtetet e Evopës Juglindore, ndoshta edhe ndonjë shtet tjetër dhe shumë me rëndësi, Beogradi, Prishtina dhe Sarajeva, besoj se meriton vëmendjen para së gjithash të NATO-s dhe sekretarit të përgjithshëm", tha Millanoviq.
Millojko Spajiq: Ballkani Perëndimor me një perspektivë të fortë evropiane
Ndërsa kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq u shpreh se në takim u theksua rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor për NATO-n, duke konfirmuar përkushtimin e fuqishëm të Malit të Zi për rritjen e bashkëpunimit rajonal.
"Në konkluzionet e këtij takimi, theksova se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i sigurt është i mundur vetëm me një perspektivë të fortë evropiane dhe zhvillim ekonomik, si dhe theksova se qeveria e 44-të e Malit të Zi do të bëjë gjithçka për ta arritur këtë synim, si për Malin e Zi, ashtu edhe për rajonin", tha Spajiq.